Rrjetet sociale dhe liria e fjalës

Rrjetet sociale dhe liria e fjalës

Pak kohë përpara se të ndërronte jetë, Umberto Eco lëshoi një deklaratë e cila shkaktoi trazim të madh në rrjetet sociale. Profesori i njohur i damkosi këto te fundit si “dhënësit e të drejtës së fjalës për debilët, te barabarte me një nobelist”, duke arritur deri aty sa ta quante këtë periudhë si “invazion të debilitetit”. Pavarësisht respektit te përgjithshëm për këtë personalitet, publiku u nda ne dysh. Pati nga ata që e përkrahen mendimin e tij, ashtu sikurse pati dhe kundërshtues deri ne nivele histerike. Pak kohe më pas, në të përditshmen italiane “La Stampa”, u botua një artikull i Gianluca Nicoletti, i cili argumentonte se Eco ne këtë rast ka gabuar. Sipas Nicoletti, në kohën e sotme kjo liri fjale është krejtësisht normale dhe pavarësisht se shumë njerëz mund të jenë vërtete debilë, është detyrë mbrojtja e së vërtetës edhe përballe tyre dhe jo kufizimi tradicional në ambientet akademike.

Personalisht kam disa dyshime, si për deklaratën e profesorit të nderuar, ashtu edhe për kritikën ndaj saj. Së pari dua të theksoj se rrjetet sociale nuk i kanë dhëne kurrfarë të drejte fjale, më tepër se ç’kanë pasur, klasës së pamasë të debilëve. Nëse bëjmë një studim fare të thjeshtë, do të shohim se janë profilet e njerëzve të njohur, studiuesve, politikanëve, shkencëtareve, artistëve, etj., që kanë një “audience” ndjekësish, që nuk mund të krahasohet me njerëzit e zakonshëm, me profile të thjeshta mes miqsh e shokësh dhe ku debati ngrihet deri në nivelin dhe audiencën e kafenesë së lagjes, pikërisht aty ku Eco e shihte si kufirin e vjetër dhe tradicional. Me këtë nuk dua te ofendoj dhe as po identifikoj një masë përdoruesish të rrjeteve sociale dhe profesionistë të nderuar në fushat e tyre, të cilët kane zgjedhur të mos kenë një profil publik të tipit “modern”, por ta mbajnë atë të kufizuar dhe privat. Në këtë pikë mund të biem të gjithë dakord se edhe nëse disa personazhe pa asnjë vlerë bëhen të famshëm, kjo ndodhte dhe pa ekzistencën e rrjeteve sociale. Fenomeni Kardashian nuk lindi sot. Ai ekzistonte dhe në median tradicionale. Por është e qarte se profesori nuk po fliste per Kim-in, por për masën e madhe te komentuesve, të cilët kalojnë nga ofendimet banale, deri tek mendime të dhëna në formë krejtësisht “analfabetike”.

Por a janë rrjetet sociale përgjegjësit për masën gjigande të komentuesve pa nivel? Duhet pranuar se jo! Askush nuk të detyron të pranosh komente nga kushdo në blogun ose profilin tënd. Edhe nëse komentimi është i lire, si në rastin e një “page” në Facebook, administratori i faqes i ka të gjitha mundësitë të filtroje listën e komenteve dhe të përjashtoje abuzuesit me fjalën e lirë.

Pikërisht këtu fillon një problem tjetër, i cili më shumë se teknik, është filozofik dhe etik. Çfarë quhet abuzim me fjalën e lirë? Ku qëndron kufiri mes abuzimit dhe një mendimi të dhënë? Kush është autoriteti që përcakton ketë vijë ndarëse dhe nëse ky autoritet ekziston, kush ia ka dhënë këtë tagër? A është mbytje e fjalës së lirë fshirja e një komenti ose ndalimi permanent i një individi për të komentuar sërish? Këtu kuptohet fare qarte se nuk është fenomeni “rrjet social” ai që shkakton invazionin në fjalë, por paqartësia ose mos dëshira jonë për të vendosur disa kufij. Ne ketë sens, problemi nuk është kapur as nga Eco dhe as nga kritikët e tij.

Fillimisht më duhet të bëj të qartë mendimin tim se fshirja e një komenti, apo bllokimi i disa individëve, nuk është absolutisht heqje e lirisë së fjalës. Individi në fjalë e ka mundësinë ta shkruajë mendimin e tij në profilin e tij dhe bllokimi i komenteve në profilin tim nuk i heq atij asnjë të drejtë fjale. Bllokimi në profilin tim është refuzim i imi për t’u bërë altoparlant i disa ofendimeve, apo qofte dhe mendimeve të cilat unë nuk i ndaj ose më duken të rrezikshme apo të panevojshme (zhurmues). Kjo nuk e ndalon kërkënd të hapë një faqe interneti apo Facebook-u, ku të më cilësojë idiot, të paafte, ose sharje të tjera për të cilën arsenali i rëndë nuk mungon.

Por nëse biem dakord se fshirja e komenteve apo bllokimi i disa individëve nuk është heqje e të drejtës së fjalës, atëherë përse shumica e mediave dhe profileve publike nuk e përdorin ketë sistem? A kane ata frike se mos quhen gabimisht diktatorë? Mendoj se jo! Problemi nuk është aspak kaq i thelle dhe i ngatërruar me çështje etike mbi të drejtat. Problemi është komercial!

Në ditët e sotme, kur media është kthyer 95% online, kur TV-të dhe këngëtarët vendosin reportazhet dhe videoclip-et në YouTube, kur politikanet lëshojnë deklarata në Twitter, numri i komentuesve është një nga elementet më të rëndësishëm në shtimin e “views”, pra hapjen e faqes. Kjo sjell të ardhura nga reklamat për mediat dhe artistet, por edhe trafik shumë më të madh për deklaratat e politikanëve. Fenomeni “koment”, pavarësisht cilësisë së tij, kërkohet me ngulm nga ne, pikërisht për t’i rritur vetes fitimet apo audiencën. Ne këtë pikë duhet pranuar se fajtore për “zëdhënien” nuk janë rrjetet sociale, por ne vetë.

Kujt i kujtohen TV-të dhe radiot e deri para 10 viteve, e mban mend mirë tendencën gati virale për të krijuar emisione me telefonata nga publiku (vazhdojnë edhe sot). Arsyeja është krejtësisht e njëjta, vetëm se masiviteti është i kufizuar. Këto kufij, teknologjia e sotme me rrjetet sociale nuk i njeh, por si në çdo rast, nuk është teknologjia fajtori, jemi ne!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *