Amatorizmi i medias shqiptare

Amatorizmi i medias shqiptare

Duhet ta pranoj se titulli është pak arrogant. Një eufemizem politikisht korrekt do të ishte “mungesa e profesionalizmit”, por nuk është rasti, sepse shpesh raportohen lajme tërësisht qesharake, në kufijtë e groteskes. Fenomeni më i rëndomtë është përkthimi i lajmeve nga faqe të huaja interneti, pa kuptuar se ato mund të jenë sajesa, me burime të dyshimta ose thjeshtë sarkazma, të cilat përkthyesi i merr gabimisht për të vërteta. Sidomos tek portalet, ku mesa duket redaktori nuk ekziston, botohen lajme nga më qesharakët, për të cilët edhe “common sense” të thotë se duhen verifikuar mirë përpara se ta hedhesh në menyrë të papërgjegjshme online.

Rasti i fundit i përket portalit “telegrafi.com” (http://telegrafi.com/fakte-befasuese-nuk-mund-ta-besoni-se-ne-cfare-begatie-jetonte-populli-ne-kohen-e-Gaddafit/), ku në një artikull shkruhen 16 fakte, pjesa më e madhe të pavërteta, për regjimin e Gaddafit ne Libi. Këtë lajm e kisha hasur para një viti në disa faqe të huaja të tipit “clickbait” (faqe që tërheqin vizitorë me lajme bombastike, që ose janë sajesa ose ekzagjerime). Kësaj rradhe vendosa ta verifikoja për kuriozitet dhe brenda disa minutash kuptova kurthin ku kishte rënë gazetari-përkthyes. Lajmi është vendosur online nga CNN-iReport (http://ireport.cnn.com/docs/DOC-884508). Problemi është se logo dhe adresa e CNN nuk tregojnë detyrimisht se lajmi është i CNN. “iReport”-“unë raportoj” është një projekt i CNN, ku fton çdo njeri në botë të bëhet reporter. Hapja e llogarise është nje procedurë 2-3 minuta dhe pas ketij momenti çdo njeri mund të vendosë lajmet “e tij” në këtë faqe-projekt. Kuptohet që CNN, ashtu si për çdo lajm tjetër të iReport, e shkruan e zezë mbi të bardhë se ky lajm është i paverifikuar dhe burimi është personal. Duket se autori anonim ka dashur të përforcoje disa teori konspiracioniste të kohës, pasi lajmi është i vjetër, pavarësisht se Telegrafi e gjeti vetëm para disa ditësh. E keqja e këtyre amatorizmave është se lajme të tilla kthehen në virale dhe portalet e tjera shqiptare e marrin lajmin copy-paste, duke përdorur si burim njëri-tjetrin.

Eshtë e kuptueshme se “lajmi” në fjalë nuk gjeti jehonë në asnjë media botërore, pasi ishte evidente se bëhej fjalë për një sajesë të trashë. Disa ditë me pas, në disa media të dorës se dytë (kryesoret nuk merren me kete nivel) u botuan dhe disa shkrime ku tregohej me fakte se kishim të bënim me një sajesë banale. Për kuriozitet po rreshtoj faktet në fjalë:

1. Nuk kishte asnjë faturë të energjisë elektrike në Libi; energjia elektrike ishte falas për të gjithë qytetarët e saj.
E RREME – Energjia elektrike paguhej;

2. Nuk kishte asnjë kamatë për kredi; bankat në Libi ishin në pronësi të shtetit dhe kreditë e dhëna për të gjithë qytetarët e saj kishin 0% interes – sipas ligjit.
E RREME – Interesi dhe kamata ekzistonin, por në shpirtin e kulturës islamike, që nuk lejon fajden, quheshin “shpenzime administrative”;

3. Shtëpia konsiderohej si një e drejtë e njeriut në Libi; Gaddafi u zotua se prindërit e tij nuk do kenë shtëpi, derisa të gjithë në Libi nuk kanë një të tillë. Babai i Gaddafit vdiq derisa ai, gruaja dhe nëna jetonin në një tendë.
E RREME – Shtëpia vërtet jepej, por po ashtu merrej nga regjimi, pa asnjë lloj arsyetimi. Shumë prej shtëpive ju konfiskuan kundërshtarëve pa asnjë lloj kompensimi; Gaddafi jetonte ne nje pallat 6 km katror, në qendër të kryeqytetit, të lidhur me tunel nëntokësor me aeroportin e Tripolit;

4. Të gjithë të porsamartuarit në Libi merrnin 60 mijë dinarë (50 mijë dollarë amerikanë) nga Qeveria për të blerë apartamentin e parë dhe për të filluar familjen.
E RREME – Kjo ka qarkulluar për shumë kohë si barcalet në Libi. Madje edhe mund të ketë kaluar nje ligj i tillë, por askush nuk e ka parë me sy këtë shpërblim;

5. Arsimimi dhe trajtimet mjekësore ishin falas në Libi. Para Gaddafit, vetëm 25 për qind e libianëve ishin të shkolluar. Sot kjo shifër është 83 për qind.
E VERTETE – Pjesa e arsimit është e saktë. Shëndetësia ishte gjithashtu falas (ka qenë dhe në regjimin para Gaddafit), por niveli linte për të dëshiruar (në të dy regjimet). Kur shtroheshe në spital, këshillohej të merrje edhe deri krevatin me vete;

6. Nëse libianët do të donin të merreshin me bujqësi, ata do të merrnin tokë bujqësore, një shtëpi, pajisjet, fara dhe bagëti për të filluar – që të gjitha këto falas.
E RREME – Kjo nuk ka ndodhur asnjë herë;

7. Nëse libianët nuk mund të gjenin në Libi arsimimin apo shërbimet mjekësore që ata kishin nevojë, Qeveria i financonte ata që të shkojnë jashtë vendit – jo vetëm falas, por duke marrë 2300 dollarë në muaj dhe makinë me kompensim;
JASHTEZAKONISHT E RREME – Nëse kjo do të ishte e vërtetë, shteti libian i kohës do të kishte marrë plot 6 milionë aplikime (gjithë popullsia e vendit);

8. Në Libi, nëse një libian binte një makinë, Qeveria e subvencionte me 50 për qind të çmimit.
E RREME – Thjeshtë nuk ka ndodhur;

9. Çmimi i benzinës në Libi ishte 0.14 dollarë për litër.
E VERTETE – Shifra nuk mund të verifikohet plotësisht, por Libia, si çdo shtet prodhues i madh nafte, e ka çmimin e karburantit shumë të lirë;

10. Libia nuk kishte borxh të jashtëm dhe rezervat shtetërore arrinin në 150 miliardë dollarë, që tashmë janë të ngrira në nivel global.
E VERTETE – Një vend me burime të tilla natyrore dhe me një popullsi aq të ulët nuk ka nevojë për asnjë borxh të jashtëm. Gjithësesi, ky favor i jashtëzakonshëm nuk u përkthye në rritje të nivelit të jetesës;

11. Nëse një libian nuk ishte në gjendje të gjente punësim pas diplomimit, shteti do të paguante pagën mesatare të profesionit të tij sikur një i punësuar.
KATEGORIKISHT E RREME – Libia nuk ka pasur asnjë herë asnjë lloj pagese në formën e ndihmës sociale për të papunët. Madje, skenari më i zakonshëm ishte vonesa e pagave edhe për të punësuarit;

12. Një pjesë e parave të naftës së shitur kreditohej në banka, në llogaritë e të gjithë libianëve.
E RREME – Nuk ka asnjë të dhënë për këtë fakt;

13. Një nënë që lindte një fëmijë, merrte 5000 dollarë amerikanë.
E RREME – Shpërblimi ka qenë 15-20 dinarë libianë për fëmijë në muaj;

14. Buka në Libi kushtonte 0,15 dollarë.
E RREME POR E PAQARTE – Buka ndahej në panine. Çmimi i përafërt ka qenë 2 dinarë për kg (1.5 dollarë). Ka mundësi që autori t’i jetë referuar panines 100 gramshe;

15. 25% e libianëve kanë një diplomë universitare
E VERTETE – E vetmja gjë për t’u verifikuar është niveli;

16. Gaddafi donte të realizonte projektin më të madh të furnizimit me ujë – për pije dhe për të ujitur (gjelbëruar) shtetin që karakterizohet me shkretëtira
E VERTETE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *