Rikthimi i vizave dhe debati mediatik

Rikthimi i vizave dhe debati mediatik

Në numrin e djeshëm (24 gusht), gazeta hollandeze “De Telegraaf” ka sulmuar ashpër Ambasadoren shqiptare në Amsterdam Adia Sakiqi (emrin e së cilës e dëgjoj për herë të parë). Sipas gazetës në fjalë, Ambasadorja ka mohuar në mënyrë të turpshme ekzistencën e një raporti zyrtar, duke e përcaktuar ngjarjen si “thashetheme gazetash sensacionale”. Paraqitja e artikullit në gazetën shqiptare Panorama shoqërohej me një hyrje ku përcaktohej kjo gazetë si prestigjoze dhe me mbi 1 milion lexues. Pas verifikimit, më rezultoi se gazeta në fjalë ështe vërtet më e madhja në Hollandë, por shumë larg 1 milion lexuesve të pretenduar. Qarkullimi ditor është 450 mijë kopje dhe numri i ndjekësve në facebook është 370 mijë.

Pavarësisht kësaj hyrje (që nuk i përket vetë gazetës, por replikuesit ne variantin shqip), ka diçka që nuk shkon në artikullin në fjalë. Nga përvojat negative me përkthimet shqiptare, preferova të gjej variantin origjinal, punë kjo pak e vështirë, sepse ky shkrim nuk ekziston në faqen on-line të gazetës (!), por vetem në variantin e shtypur. Megjithatë artikullin e gjeta dhe verifikova se gjithçka ishte shkruar ne Panorama përkonte me origjinalin.

Por le të kthehemi ne thelbin e problemit. Gazeta hollandeze pretendon se Ambasadorja ka mohuar ekzistencen e këtij raporti, i cili sipas saj ka rrjedhur (leak) nga një komunikim sekret mes policisë, prokurorisë dhe qeverisë hollandeze. Gjithashtu gazeta akuzon për “marrëzi” Ambasadoren, e cila ka thënë se raporti i referohej një ngjarje të para dy javësh, ku u arrestuan disa shqiptarë, pasi sipas saj, raporti është publikuar para kësaj date. E gjithë kjo histori duket një sulm personal i gazetës ndaj Ambasadores.

Së pari, Ambasadorja ka të drejtë kur thotë se nuk ka një raport zyrtar, pasi rrjedhja “leak” e një informacioni, mund të jetë çdo gjë, por vetëm raport zyrtar nuk është;
Së dyti, gazeta pretendon publikimin e raportit prej më tepër se dy javëesh, ndërkohe raporti nuk është publikuar ende dhe nuk do të publikohet ndonjë herë (nuk ka arsye të publikohet një raport sekret), përveç rastit kur ai do të përdorej si referencë e një kërkese zyrtare të Hollandës për rivendosjen e regjimit të vizave për shqiptarët;
Së treti, gazeta deklaron se nuk ka një komunikim të Ambasadores me Ministrinë e Jashtme Hollandeze, ashtu siç kjo e fundit pretendon, por nga ana tjetër edhe gazeta nuk ka paraqitur asnjë komunikim apo deklaratë zyrtare të po kësaj ministrie, ne favor të variantit të saj.

Duket pra se sulmi është provokuar nga cilësimi, tërësisht i pavend dhe diplomatikisht amatoresk, që Ambasadorja shqiptare i bëri gazetës në fjalë si “sensacionale dhe tabloid thashethemesh”. Megjithëse duhet thënë se sulmi i gazetës nuk shquhet për profesionalizëm dhe pavarësisht se i meriton cilësimet e Ambasadores, kjo e fundit mund të përmbahej, pasi është diplomate karriere dhe në asnjë rast nuk duhet të personalizojë problemet.

Por nëse e konsiderojmë personale luftën mes “De Telegraaf” dhe Ambasadores, a rrezikon vërtet Shqipëria rivendosjen e sistemit të vizave? Kjo është vështirë të thuhet sepse rruga që ka ndjekur ngjarja deri tani është vërtet e çuditshme. Zakonisht rivendosja e regjimit të vizave kërkohet për shkak të azilantëve, jo të kriminelëve, pasi këta të fundit nuk i pengon regjimi i vizave për të ushtruar aktivitetin e tyre. Shumë prej kriminelëve kanë pasaporta të shumë shteteve të BE dhe pak u hyn në punë ekzistenca ose jo e regjimit të vizave. Të krijohet përshtypja se ky informacion-raport ka rrjedhur “qëllimisht”, në mënyrë që qeverisë shqiptare t’i bëhet presion. Por për çfarë? Këtë nuk mund ta dimë. Një variant mund të ishte problemi i kanabis dhe ulja e çmimeve që mund të ketë shkaktuar superprodhimi shqiptar, por këtu jemi në kuadrin e hipotezave. Sidoqoftë, rivendosja e regjimit të vizave do të ishte nje humbje shumë e madhe për Shqipërine dhe qeveria shqiptare duhet të bëjë çdo gjë për të shmangur skenarin më të keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *