Shteti, ligji dhe Maliq-Rama

Shteti, ligji dhe Maliq-Rama

Këtu e katër vjet të shkuara, Edi Rama vendosi të “bënte shtet”. Ky shtet do të bëhej edhe me ndihmen e LSI, pasi nuk kishte dalë ende teoria se makina me dy timonë mund të jetë vetëm emision radiofonik humori, por kurrsesi jo qeveri “alla shtet”. Filluan masa të tipit “era shtet”, që duhet thënë se ngjiten ca në perceptimin popullor. Por ndryshe nga perceptimi popullor, në funksion të shtetit këto aksione nuk sollën asgje, perjashto disi vetem pagesat për energjinë elektrike. Cdo gjë tjetër rezultoi në dështim, si për shkak të pengesave ligjore apo kostove të dëmshpërblimeve (koncesionet, ndërtimet, bixhozi), ashtu edhe për shkak të interesave oligarkike që hyjnë në lojë sapo u preket minimalisht interesi.

Pas katër vjetësh pushtet dhe vendimit për të përjashtuar një nga timonët dhe, me këtë rast, per t’ia hedhur atij një pjese të madhe të kusureve të qeverisjes, Rama po ndërmerr një fushatë tjetër aksionesh. Shumë prej tyre ngjajnë populizëm i paster, si në formë-shfaqe (takime gju më gju me popullin), ashtu edhe në përmbajtje (aksione të mbështetura mbi mllef popullor, por larg të qënit ligjore dhe aq më pak shtetbërëse).

Aksioni i fundit, në kuadrin e fushatës anti-kanabis, është “verifikimi” i makinave luksoze, pronave të patundshme apo llogarive bankare të pajustifikuara. Në pamje të parë dhe me një sy popullor, ky aksion është shumë i “duartrokitshëm”. Nga ana tjetër, e parë me një sy pak më racional, aksioni është i destinuar të dështojë.

Në një barcalet të rreth 30 viteve më parë ironizohej pikërisht kjo mënyrë e funksionimit të shtetit. Thuhej se CIA, KGB dhe sigurimi shqiptar u vunë në garë për të kapur një lepur në pyll. KGB e kapi lepurin për gjysmë ore, CIA për një orë, ndersa Sigurimi nuk po kthehej as pas 4 orësh. Të shqetësuar, organizuesit e konkursit vihen në kërkim dhe gjejnë sigurimin tonë që kishte lidhur një majmun pas pemës dhe po e torturonte për vdekje, duke i kërkuar të tregonte se ku ishte fshehur lepuri. Humori popullor kishte gjetur një barcalet për tu tallur me shprehjen e famshme “qeveria e kap lepurin me qerre”! Edhe sot kjo shprehje tregon mentalitetin tipik ku me fjalën shtet nënkuptohet arroganca dhe brutaliteti policor. Fatkeqësisht, edhe për shkak të dështimeve të sistemit ligjor gjatë demokracisë, shumë shqiptarë i janë rikthyer të njejtit koncept të mbrapshtë për shtetin. Është një mllef i mbledhur, jo pa të drejtë, kundër një klase oligarkësh, por që vetëm në këtë mënyre joligjore nuk mund të luftohet. Ndoshta është edhe ky shkaku që shumë shqiptarë po rikërkojnë një sistem autoritarist, duke parë ineficencën katastrofale të sistemit ligjor shqiptar në variantin demokratik.

Megjithatë aksioni në fjalë ka pak gjasa të japë ndonjë efekt. Së pari është qesharake të kërkosh paratë e mbledhura nga kultivimi i kanabisit, ndërkohe që është më e thjeshtë të asgjesosh fushat e mbjella. Së dyti sepse aksioni është antiligjor, pasi cdo shtet (vërtet shtet) mund të kerkojë origjinën e parave në momentin kur ato formalizohen në sistemin bankar, por nuk ka asnjë mundësi të kërkojë origjinën e pronës. Së treti sepse mjafton të bësh një ligj ku transaksionet e blerjeve të cdo lloj prone mbi nje lloj vlere të kalojnë detyrimisht përmes bankës dhe automatikisht përmes procesit të deklarimit të burimit të të ardhurave.

Duke qënë se asnjë prej këtyre mënyrave nuk ka ndërmend të përdoret, duket qartë se kemi të bëjmë me një show. Cdo njeri me një kulturë juridike minimale e di se është e pamundur të kontrollohen pas kaq shumë kohe origjina e parave në llogaritë bankare, sepse shumica e tyre e kanë tashmë justifikimin, por aq më pak të kontrollohen prona të tipit “makinë”, te cilat vazhdojnë e blihen “cash” dhe me vlera të deklaruara relativisht të ulëta (makina të përdorura që nuk kanë faturë shitje). Me gjithë “vullnetin” kryeministor, cdo tentativë për të ndjekur këtë vullnet në formë policore, nuk ka shans të funksionojë edhe sikur të cmendej parlamenti dhe të miratonte ligje të reja. Kjo sepse pas parlamentit duhet të cmendej dhe Gjykata Kushtetuese dhe pas saj edhe Brukseli e Strasburgu.

Mesa duket edhe ky aksion është në vazhdën e kritikës së forte, aq shumë popullore, të kryeministrit ndaj administratës së tij. Le të themi një variant modern i ujit të pastër në burim, por që turbullohet poshtë. Një justifikim osman për sulltanin në Stamboll, që ishte aq i mirë dhe i drejte, por që korrupsioni i administratës poshtë tij, ia transformonte dëshirat dhe urdhrat e shkëlqyer.

Fshati që duket s’do kallauz. Ndërkohë që kanabisi mbillet në fushë, nuk ka pse te lidhim majmunët me llogari bankare, prona a makina pas pemës. Jo për gjë por majmunët kanë mjete ligjore për t’i shpëtuar litarëve dhe për ta kthyer në bumerang dëmshpërblimesh këtë tentativë show-populiste. Megjithatë nuk duket se puna do të shkojë deri në atë pikë. Cudia më e madhe tre ditë zgjat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *